Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se serbët në veri të Kosovës nuk i kanë problem vendimet e Qeverisë, sa i përket targave, por “kërcënimet” nga ata që, siç tha ai, e kanë problem ligjin.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë më 9 nëntor, Kurti tha se mungesa e sundimit të ligjit është kërcënim veçmas për qytetarët serbë në katër komunat veriore: Zveçan, Zubin Potok, Leposaviç dhe Mitrovicë të Veriut.
“Problemi i tyre janë sulmet me bomba, djegiet e makinave dhe shtëpive, trysnitë dhe kërcënimet pa afat nga ata që e kanë problem ligjin. Ata që po urdhërojnë braktisjen e institucioneve të Kosovës janë ata të cilëve u pengon ligjshmëria dhe kushtetutshmëria, luftimi i kriminalitetit dhe i korrupsionit në vendin tonë”, tha Kurti.
Ai tha se sundimi i ligjit dhe demokracia “janë garantuesit më të mirë të sigurisë së paqes”.
“Ne duam sundim të ligjit sepse duhet sundim i ligjit. Nuk është zgjedhje, është detyrim. Mungesa e tij është kërcënim për të gjithë. Me këtë kërcënim po ballafaqohen më së shumti bashkëqytetarët tanë në katër komunat në veri tonë. Presioni dhe sulmet ndaj tyre nga banda dhe individë kriminalë janë vetë dëshmia se çfarë prodhon vetë mungesa e sundimit të ligjit. Problemi i tyre nuk janë vendimet tona, as afatet që parashikohen në to”, tha kryeministri i Kosovës.
Kurti tha se deri mëngjesin e 9 nëntorit, autoritetet kanë bërë 1.012 vërejtje për shoferët që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia. Sipas tij, shqiptimi i qortimeve është bërë pa incidente.
Më 5 nëntor, përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit – njoftuan se serbët do të largohen nga institucionet e Kosovës në veri, përfshirë nga policia, prokuroritë, gjykatat, Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës.
Deri më tani, autoritetet në Prishtinë kanë konfirmuar se afër 600 policë në veri kanë dhënë dorëheqje.
Serbët thanë se nuk do të kthehen në institucione derisa Qeveria e Kosovës të mos tërhiqet nga plani prej tri fazash për riregjistrimin e makinave.
Më 1 nëntor Qeveria e Kosovës nisi zbatimin e planit – prej tri fazash – për riregjistrimin e makinave me targa serbe, në ato legale RKS – Republika e Kosovës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




