Liderët opozitarë në Kosovë i kanë kërkuar kryeministrit Albin Kurti, që të ketë koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë.
Të tre liderët e partive opozitare i shkuan në takim Kurtit për të diskutuar për “zhvillimet e fundit në vend, e sidomos në veri të vendit”.
Takimi është thirrur tri ditë pasi përfaqësuesit serbë u dërhoqën nga institucionet e Kosovës në të gjitha nivelet dhe pas deklaratave të vetë Kurtit se janë intensifikuar kërcënimet e Serbisë për destabilizmin e situatës në veri të vendit.
LEXO EDHE:
– Stoltenberg i telefonon Kurtit dhe Vuçiç: Jo veprime të njëanshme, KFOR vigjilent!
– Tensionet në Kosovë, Rama: Pro planit franko-gjerman, Kurti të dialogojë!
Në takim shkuan Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi tha pas takimit se “në këto moment Kosovës i duhen veprime të përgjegjshme që e ruajnë sovranitetin e vendit”.
Ndërsa lideri i LDK-së tha se në takim me Kurtin nuk kanë parë ndonjë plan konkret e “as gatishmëri për koordinim të plotë më aleatët ndërkombëtarë”.
Ai tha se meqë gjendja e sigurisë në vend “është shumë e rëndë” është jetike koordinimi me partnerët, me theks Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndërsa Haradinaj u largua nga takimi dhe shkroi se u detyrua ta bënte këtë për shkak që, siç tha, “Kurti mbante ligjërata e nuk na sqaronte se përse ka prishur raportet me Amerikën”.
“Për mua është e papranueshme që në raste kaq të ndjeshme, të prishim raportet me aleatin kryesor të sigurisë”, ka shkruar ai në Facebook.
Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Kurtit që të shtyjë vendimin për targat.
Më 5 nëntor, përfaqësuesit e serbëve ofruan dorëheqjen nga institucionet e nivelit lokal në Kosovë, nga Gjyqësori, Policia, si dhe nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.
Largimet nga institucionet e Kosovës ndodhën pasi Qeveria e Kosovës më 1 nëntor nisi zbatimin e planit prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia në ato RKS – Republika e Kosovës.
Dje, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se “aktualisht situata në veri është e qetë” dhe se janë në vazhdimësi në koordim me KFOR-in dhe EULEX-in.
Ai tha se deri më 7 nëntor, Kosova ka pranuar dorëheqjen e 461 zyrtarëve serbë të rendit, 107 policëve kufitarë dhe dhjetë hetuesve policorë.
Dhjetë deputetët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – kanë dorëzuar të hënën dorëheqjet e tyre në Kuvendin e Kosovës
Edhe gjyqtarët serbë dhe punëtorët administrativë në Mitrovicë të Veriut kanë dhënë dorëheqje. Në gjykatën në këtë qytet ishin gjithsej 19 gjyqtarë serbë.
Kurti u bëri thirrje serbëve në veri të vendit që të mos japin dorëheqje, ngase siç tha ai, “bojkotet nuk janë zgjidhje, institucionet nuk kanë alternativë”.
Për dallim nga Kosova, Serbia e ka mbështetur vendimin e Listës Serbe.
Partnerët ndërkombëtarë kanë përsëritur thirrjet për ruajtjen e qetësisë në Kosovë, si dhe që të shmanget eskalimi i tensioneve të krijuara.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




