Gazeta Si – Kupa e Botës po afron gjithmonë e më shumë dhe në Brazil ka ardhur momenti që të flitet për Nejmarin, siç ka ndodhur shpesh tetë vitet e fundit. Në 2014-ën ‘O Ney’ ishte shpresa e madhe për Botërorin e shtëpisë, por dëmtimi ndaj Kolumbisë fundosi atë dhe ekipin.
Në 2018-ën, pas paraqitjes së mirë në ndeshjet në grup erdhi ajo ndeshje e dobët ndaj Belgjikës dhe eliminimi. Aty nisi dhe procesi mediatik ndaj numrit 10 të Brazilit, i akuzuar se simulon shumë për të mashtruar arbitrat.

Përsëri tani Nejmar ka përfunduar në qendër të polemikave në Brazil. Çfarë ka bërë këtë herë? Është faji i zgjedhjeve, ai ka dalë hapur në krah të presidentit në ikje Jair Bolsonaro, i cili humbi zgjedhjet ndaj rivalit Lula.
Me këtë veprim sulmuesi ka shkelur një ligj të pashkruar brenda kombëtares braziliane. Atë që parashikon që të mos deklarohet asnjë qëndrim në lidhje me çështjet politike. Nejmar e ka bërë, madje shumë hapur, me anë të rrjeteve sociale, duke shfrytëzuar popullaritetin e tij për të influencuar në rizgjedhjen e Bolsonaros.
Por problemi nuk është vetëm ky. Problemi më i madh është se gjatë fushatës Nejmar ka përfshirë edhe kombëtaren. Mes deklaratave për zgjedhjet, sulmuesi ka thënë se do ta festonte fitoren e Bolsonaros në Botëror, duke i dedikuar politikanit golin e parë në Kupën e Botës.
Kjo është një deklaratë e tepërt dhe shokët e skuadrës nuk e kanë pritur aspak mirë. Një situatë që ka krijuar një klimë jo të mirë në dhomat e zhveshjes së Brazilit vetëm dy javë para starti të Botërorit. Nejmar do të luajë Botërorin e fundit, siç ka pohuar vetë, ndërsa fakti që e nis me polemika nuk është aq befasues.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




