Gazeta Si – Edhe pse me shumë mungesa, Juventusi ia ka dalë të triumfojë ndaj Interit në derbin e Italisë. Një 2-0 i pastër për skuadrën e Alegrit, që e ndihmon të parakalojë zikaltrit në renditje pas javës së 13-të.
Juventusi e zgjidhi ndeshjen me dy kundërsulme të finalizuar nga Rabiot dhe Faxholi. Në të dy rastet ishte Filip Kostiç ai që shërbeu saktë. Në fillim serbi u shkëput në linjën e majtë dhe pasoi saktë në zonë për francezin, që nuk gaboi.
Më pas bardhezinjtë shënuan edhe një gol me Danilon, por që u anulua nga VAR-i për prekje të topit me dorë. Kostiç, nga më të mirët në fushë, goditi shtyllën e Onanës para se të shërbente për Faxholin në fundin e ndeshjes. Lojtari i ri i Juventusit, i ndihmuar edhe nga një devijim, ‘vulosi’ rezultatin në 2-0.
Interi u përpoq më shumë në pjesën e parë, por pa mundur ta gjente rrugën e rrjetës. Kristjan Asllani, lojtari i Kombëtares kuqezi, nuk pati asnjë minutë në dispozicion në këtë ndeshje. Zikaltrit u ndalën pas 4 fitoreve radhazi dhe tani e shohin veten në vend të 7-të, por vetëm 1 pikë pas Juventusit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




