Futboll

Derbin e Romës e vendos një gafë, festa shkon për Hysajn dhe Taren

Gazeta Si – Lacio fiton derbin e Romës dhe kap vendin e tretë në Serinë A, duke parakaluar skuadrën e Mourinjos. Në “Olimpico” vendosi një gol i brazilianit Felipe Anderson pas gjysmë ore lojë, falë një gafe të mbrojtësit Ibanjez.

Lojtari i Romës humbi topin në mënyrë krejt naive në zonën e tij, duke i dhënë mundësinë Andersonit të ndëshkonte Rui Patricion nga afër portës. Roma goditi traversën me anë të Xaniolos dhe ushtroi presion, sidomos në fund, por pa mundur të barazonte.

Anderson feston golin e fitores ne derbi. Gazeta Si, 6 nentor 2022

Mbrojtësi i Kombëtares, Elseid Hysaj u fut në fushë në pjesën e dytë dhe luajti më shumë se 20 minuta. Në anën tjetër, Marash Kumbulla qëndroi në stol te Roma gjatë gjithë derbit.

Ishte një fitore e çmuar për Lacios pas një jave të mbushur me polemika për kartonin që skualifikoi Milinkoviç-Saviç dhe deklaratën e Igli Tares në lidhje me Ligën e Konferencës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë