Futboll

Champions/ Algoritmi tremb Interin dhe Milanin, shorti i ndesh me Sitin dhe Bajernin

Gazeta Si – Një short drithërues. Të hënën në mesditë në Nion do të përcaktohen çiftet e 1/8-ve në Ligën e Kampionëve. Tifozët presin me ankth, ndërkohë që ka edhe një parashikim se si mund të kreqëzohen skuadrat e kualifikuara.

Më në ankth janë tifozët e Interit dhe Milanit, sepse sipas një algoritmi, kundërshrarët e mundshëm të tyre janë jo pak të frikshëm: Mançester Siti për zikaltrit dhe Bajerni i Mynihut për kuqezinjtë. Napoli ka më shumë mundësi të ndeshet me një ekip gjerman, Borusia Dortmund ose Eintraht Frankfurt.

‘Algoritmi’ të bën të mendosh për diçka të komplikuar, por realisht kalkulimet nuk janë kaq të vështira, po të kemi parasysh rregullat në short. Në 1/8-at nuk mund të ndeshen dy skuadra të të njëjtit vend. Po ashtu, nuk mund të ketë përplasje mes skuadrave që kanë qenë në të njëjtin grup.

Për Anglinë, për shembull, që ka 4 skuadra në 1/8-at, është e lehtë të përcaktohet përqindja e mundësive për çdo rival. Sfida më e mundshme është Bajern-Liverpul, me 37.121%.

Rreziku është i madh që Interi të luajë me një ekip anglez. Çelsi është kryqëzimi më i mundshëm, me 19.077%, por edhe Siti e Totenhemi, të dy me 18.890%. Më pas vjen Real Madrid me 14.698% dhe Porto e Benfika me nga 14.223%.

Duke qenë se gjermanët nuk mund të ndeshen mes tyre, për Milanin shanset më të mëdha janë që të ndeshen me Bajernin, gati 24%. Por, nëse Bajerni ‘peshkon’ Liverpulin, për skuadrën e Piolit janë thuajse të sigurt Siti ose Totenhemi, 17.802%. Pas anglezeve është Reali i Ançelotit me 13.652% dhe dy portugezet me nga 13.397%.

Duke qenë se Bajern-Liverpul është çifti më i mundshëm, mes sfidave më pak të mundshme janë PSG-Porto dhe Bryzh-Benfika.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë