Drejtësia

SPAK kërkoi rikthimin në qeli të Alqi Bllakos, Apeli i GJKKO vendos më 9 nëntor

Gazeta Si - Gjykata e Apelit ka vendosur të shqyrtojë më datë 9 nëntor, ankimimin që SPAK i bëri vendimit të Gjykatës së Posaçme për lirimin e ish-deputetit Alqi Bllakos.

Gjashtë muaj pasi u prangos, ish-deputeti Alqi Bllako u lirua nga gjykata në fillim të muajit tetor, për t’u hetuar në masën e sigurisë “arrest shtëpie” për akuzat e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës në lidhje me koncensionin e inceneratorit të Fierit.

Ai fitoi lirinë me argumentet se gjendja familjare është e rënduar, ka fëmijë të mitur për t’u kujdesur dhe se hetimet për dosjen janë drejt fundit.

LEXO EDHE:
‘Jam beqar, por bashkëjetoj dhe kam 3 fëmijë’, çfarë tha Alqi Bllako në gjykatë, dhe enigma se pse nuk u pyet se ku ishte para arrestimit

Por për SPAK, këto nuk janë argumente ligjore dhe janë të pamjaftueshme për të ndryshuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, që sipas prokurorisë është e nevojshme të vijojë për të mos cenuar hetimin dhe rrezikuar largimin e ish-deputetit socialist.

I arrestuar për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, lidhur me aferën 4.9 milionë euro të inceneratorit të Fierit, ai ka mohuar akuzat që të ketë shkelur ligjin gjatë procedurës së ndjekur për dhënien e koncesionit për ndërtimin e tij.

Në dëshminë para grupit hetimor, Bllako ka mohuar që të ketë rol vendimmarrës te inceneratorët, duke thënë se ka pasur për detyrë vetëm të përcjellë shkresën për miratim te Këshilli i Ministrave.

Alqi Bllako u arrestua me urdhër të SPAK më 1 prill 2022. Sipas dosjes hetimore të SPAK, i mandatuari i PS në zgjedhjet e 25 prillit 2021, akuzohet për procedurën e shpronësimit të tokës arë ku do të ndërtohej incineratori i Fierit, me sipërfaqe 111 564 m2.

Ai dyshohet se, në bashkëpunim ka përgatitur dokumentacion të falsifikuar në lidhje me të dhënat e pronës së shpronësuar, për ndërtimin e inceneratorit, duke ndryshuar cilësimin nga “arë” në “tokë truall”, duke rritur vlerën e shpronësimit.

Po ashtu, ish-deputeti dyshohet se ka favorizuar shoqërinë përfituese të koncensionit, në këmbim “të përfitimeve të parregullta” me një vlerë prej afro 150 mijë dollarë, të cilat kanë shkuar në formën e pagesave të larta mujore për babanë e tij, i punësuar pranë inceneratorit të Tiranës.

Ish-deputeti Bllako është vendosur njëherazi dhe nën hetim pasuror ashtu sikurse ish eprori i tij Lefter Koka, që pret në paraburgim mbylljen e hetimeve, megjithëse ka dorëzuar disa shkresa për të lënë qelinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë