Një sasi kokaine është gjetur dhe sekuestruar të enjten pasdite në Portin e Durrësit. Sipas raportimeve zyrtare 33.5 kg kokainë është gjetur në një kontenier me banane.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara në Portin e Durrësit, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafikimit të drogave të forta, bazuar dhe në inteligjencën informative, strukturat e Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, finalizuan operacionin policor të koduar “Again”.
Shërbimet e Policisë, bazuar në informacionin policor të administruar nga Policia shqiptare, kanë ushtruar kontroll të imtësishëm në një kontenier të ngarkuar me banane, që kishte ardhur nga Ekuadori, për llogari të një firme në Tiranë, duke qenë se nga kontrolli me skaner nuk ishte konstatuar ngarkesë tjetër përveç arkave me banane, njofton policia.
Si rezultat i kontrollit me qen antidrogë, shërbimet e Policisë konstatuan në 2 arka bananesh, 31 pako, të mbushura me lënd të dyshuar narkotike kokainë, me peshë totale 33.5 kilogramë.
Në vijim të operacionit janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, për veprime të mëtejshme hetimore dhe procedurale, 8 persona, pjesëtarë të firmës që priste ngarkesën me banane dhe punonjës të skanerit në Portin e Durrësit.
Nën drejtimin e Prokurorisë, strukturat hetimore të Policisë së Shtetit vijojnë veprimet për zbardhjen e këtij rasti dhe për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




