Futboll

Një ‘krismë’ i mjafton Tiranës për kreun, Vllaznia bën festë në Kukës

Gazeta Si – Të tria ndeshjet e zhvilluara sot për javën e 11-të të Superiores janë vendosur me nga një gol. Më i rëndësishëm ishte ai që shënoi Tirana, që mori kryesimin pas humbjes së Partizanit në Laç.

Braziliani Patrik u gjend në kohën e duhur dhe në vendin e duhur sapo nisi pjesa e dytë për të shënuar golin 3-pikësh ndaj Egnatias. Ndeshja në “Selman Stërmasi’ u vendos nga ky gol, që ndali vrullin e rrogozhinasve dhe ngjiti Tiranën në vend të parë.

Partizani ka pësuar humbjen e dytë radhazi, duke e bërë situatën shqetësuese. Të kuqtë u ndëshkuan që në pjesën e parë nga Ujka, por edhe portieri Rexhepi ka një pjesë të fajit në këtë rast. Laçi e mbrojti mirë rezultatin dhe në fund iu gëzua fitores.

Një ndeshje më e bukur u luajt në “Kukës Arena”, ku edhe goli i shënuar ishte më i bukur se në dy sfidat e tjera. Esin Hakaj realizoi me një goditje të bukur nga jashtë zonës në fundin e pjesës së parë.

Vllaznia ka marrë kështu një trepikësh me shumë vlera, që e afron në 3 pikë me kreun dhe vetëm 1 pikë nga vendi i dytë. Kukësi mbetet në fundin e tabelës, shumë larg parashikimeve edhe pas ndërrimit të trajnerit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë