Ekonomi

Propozimi i MFE: Fondet e papërdorura nga bashkitë, automatikisht do t’i kthehen qeverisë si shlyerje detyrimi

Nga Gazeta ‘SI’ – Ministrja e  Financave Delina Ibrahimaj tha se po punohet për një ndryshim në ligjin e financave vendore, ku parashikohet që pjesa e fondeve të trashëgueshme nga bashkitë, nëse nuk janë të angazhuara do të shkojnë për pagesën e detyrimeve të prapambetura që i kanë shtetit.

“Në fund të shtatorit të vitit 2022, pushteti vendor ka 7.5 miliardë lekë detyrime ndaj qeverisë. Bashkitë lejohen edhe sot të marrin borxh. Por nëse nuk kanë qëndrueshmëri financiare, nuk mund të marrin borxh, si çdo entitet tjetër, ashtu edhe qeveria nuk merr dot borxh nëse nuk ka qëndrueshmëri financiare. Nuk ka asnjë limit për marrjen e kredive për ato bashki të vlerësuara pozitivisht. Ka pasur ngadalësi të huave të marra nga institucionet e pushtetit vendor. Për këtë arsye kemi marrë masa për të sjellë në komision një ndryshim për ligjin e financave vendore”- u shpreh Ibrahimaj.

Në përgjigje të pyetjeve nga deputetët, pjesë e komisionit, Ibrahimaj tregoi se MFE po bën një analizë për projektet që  kanë risk mosrealizimi gjatë vitit të ardhshëm dhe ndërprerjen e financimit të tyre. Por jo theksoi se projektet e rindërtimit do të vazhdojnë gjatë 2023-shit pas një ngadalësimi në vitin 2022.

“Për vitin e ardhshëm, vlera e detyrimeve për koncesionet pritet të ulen në 35.9% nga rreth 38% që pritet të jetë ky vit. Detyrimet e prapambetura ndaj arbitrazheve janë detyrime kontigjente dhe nuk kalkulohen si pjesë e borxhit apo e buxhetit të shtetit. Kjo është metodologji e marrë nga FMN. As detyrimet e ndërsjella të kompanive të energjisë apo ujësjellësve”, -shpjegoi ministrja e Financave në përgjigje të pyetjes së deputetit socialist Erion Braçe.

Ibrahimaj shtoi se qeveria po pret konfirmimin e një kredie 120 mln euro nga Banka Botërore dhe 120 mln euro nga Agjencia Franceze për Zhvillim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë