Gazeta Si – Tri ndeshje të Superiores luhen sot, të vlefshme për javën e 11-të të saj, që nisi dje me dy barazime. Partizani dhe Tirana do të duelojnë për kreun në distancë, ndërsa ndeshja më e rëndësishme luhet në Kukës mes ekipit vendës dhe Vllaznisë.
Partizani, pas humbjes së thellë që pësoi në Rrogozhinë nga Egnatia, shkon në Laç për të bërë kthesën. Trajneri Kolela e ka të qartë situatën dhe pret nga të tijtë që të bëjnë një ndeshje të mirë ndaj kurbinasve, të cilët duket se po e marrin veten gradualisht.

Tirana, 1 pikë pas Partizanit, pret sot Egnatian e Duros. Rrogozhinasit vijnë nga dy fitore të rëndësishme dhe Tirana është e paralajmëruar. Trajneri Shehi e di mirë sa e vështirë është kjo ndeshje, aq më tepër që do të ketë edhe mungesat e Ismailgecit dhe Kallakut.
Në ‘Kukës Arena’ sot është mysafire Vllaznia. Një ndeshje mes dy skuadrash që javët e fundit nuk po arrijnë të shfaqen në nivelin e pritur. Mund të jetë një ndeshje ‘shahu’, pasi në këtë moment më tepër se gjithçka kanë rëndësi pikët për të kaluar minikrizën.
Partizani kryeson renditjen me 19 pikë, i ndjekur nga Tirana me 18 pikë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




