Futboll

Milani kualifikohet me ‘poker’ në Champions, nderin e Juves e shpëton… Benfika

Gazeta Si – Më e thjeshtë nga sa mund të mendohej për Milanin. Kampionët e Italisë zhvilluan një ndeshje shumë të mirë në ‘San Siro’, duke fituar pastër ndaj Salcburgut, 4-0. Ata kanë siguruar kalimin në 1/8-at e Championsit me vendin e dytë në grup.

Oliver Zhiru zhbllokoi shifrat shpejt. Francezi shënoi me kokë, pas krosit të Tonali nga goditja e këndit. Milani e kishte lojën nën kontroll dhe sapo nisi pjesë e dytë dyfishoi me Kruniç.

Leao krijoi përshtjellim në mbrojtjen e austrikëve dhe nga këmbët e tij erdhi edhe goli i tretë, që u shënua nga Zhiru. Në kohën shtesë Mesias vulosi rezultatin në 4-0. Kualifikim plotësisht i merituar për Milanin.

Çelsi mundi 2-1 Dinamon e Zagrebit në ndeshjen tjetër të grupit. Armando Broja u aktivizua në pjesën e dytë dhe kishte në dispozicion më shumë se 25 minuta, por nuk mundi të shënonte ndaj kroatëve.

Juventusi ia ka dalë të shkojë në Ligën e Europës, edhe pse u mund në fushën e tij nga PSG, me gola të Mbape dhe Mendes. Skuadrën e Alegrit e ndihmoi Benfika, që mundi 1-6 Makabin, duke bërë që bardhezinjtë të ruanin vendin e tretë në grup.

16 skuadrat e kualifikuara për në fazën e 1/8-ve të Championsit janë: Napoli, Liverpuli, Bajern Mynih, Interi, Eintraht Frankfurt, Porto, Real Madrid, Totenhemi, Çelsi, Milani, Bryzhi, Lajpcigu, Mançester Siti, Borusia Dortmund, PSG dhe Benfika.

Në Ligën e Europës shkojnë: Juventusi, Ajaksi, Bajer Leverkusen, Barcelona, Sportingu i Lisbonës, Salcburgu, Shakhtari dhe Sevilja.

Champions, ndeshjet e fundit në grup
Sot
Real Madrid-Selltik 5-1
Shakhtar Donetsk-Lajpcig 0-4
Milan-Salcburg 4-0
Çelsi-D.Zagreb 2-1
Kopenhagen-B.Dortmund 1-1
Juventus-PSG 1-2
Makabi Haifa-Benfika 1-6
Mançester Siti-Sevilja 3-1


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë