Nga Gazeta ‘SI’ – Banka e Shqipërisë ka vendosur të rrisë përsëri normën bazë të interesit, me 0.5%, duke e çuar në 2.75%.
Në konferencën mujore të nëntorit (2 nëntor), Guvernatori Gent Sejko njoftoi se pritshmëritë e BSH-së janë për presione të forta inflacioniste edhe për muajt e ardhshëm. Sipas tij, kjo nuk po ndodh vetëm nga mjedisi i jashtëm, por edhe nga presionet e brendshme.
“Rritja e presioneve të brendshme inflacioniste pasqyron veprimin e tre faktorëve. Së pari, pozicioni i mirë ciklik i ekonomisë shqiptare, pozicion i cili buron nga kërkesa e qëndrueshme për mallra e shërbime dhe nënkupton një shfrytëzim të lartë të kapaciteteve të brendshme prodhuese, është shoqëruar me rritje të shpejtë të pagave. Së dyti, çmimet e larta të lëndëve të para, të naftës dhe të energjisë, sjellin një rritje të mëtejshme të kostove të brendshme të prodhimit. Së treti, rritja e inflacionit të pritur ndikon në rritjen e çmimeve të kontratave të së ardhmes”, -u shpreh Sejko.
Guvernatori shtoi dhe se ekonomia do të ketë vijueshmëri pozitive, por ritmi i rritjes do të ngadalësohet. Bilancet e bizneseve dhe ato familjare do të mbeten orientuesi kryesor.
“Megjithatë, Banka e Shqipërisë thekson se ambienti i përgjithshëm mbetet sfidues dhe projeksionet për të ardhmen rrethohen nga pasiguri të shtuara. Këto pasiguri qëndrojnë në kahun e sipërm për inflacionin dhe në kahun e poshtëm për rritjen ekonomike”, – mbylli fjalën e tij Guvernatori i BSH.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




