Sociale

Ministrja Muzhaqi nuk kishte shifrat e të rinjve dhe fëmijëve, Duma mbyll komisionin mes tensionit

Nga Gazeta Si- Buxheti i Ministrisë së Shtetit për Rininë ka shkaktuar debate të forta në mbledhjen e Komisionit të çështjeve Sociale, ku kryetarja e këtij komisioni, Grida Duma është detyruar të mbyllë mbledhjen.

Për këtë është bërë shkak një pyetje që Duma i ka drejtuar ministres së rinisë Bora Muzhaqi se sa të rinj dhe fëmijë ka Shqipëria.

Ministrja Muzhaqi u përgjigj duke thënë se për momentin nuk e ka në komision shifrën dhe që kjo pyetje është tashmë e ezauruar. Por pas këmbënguljes së Dumës, Muzhaqi është përgjigjur duke thënë se shifrat janë në INSTAT dhe atje mund ti shohë kushdo që dëshiron.

Këtë Duma e ka cilësuar si të papranueshme duke i thënë se nuk mund të bësh buxhetin pa ditur së pari sa të rinj ka vendi ynë.

“Si e bëni ju buxhetin. Sa të rinj ka Shqipëria sot? Dhe sa fëmijë? Kur bëni strategjinë për të rinjtë dhe fëmijët, duhet ta dini se sa nga taksat e shqiptarëve shkojnë për fëmijët dhe të rinjtë. Unë e di që është e vështirë për ju se kështu ka qenë gjithmonë por kjo është e papranueshme”, tha Duma.

Muzhaqi u përgjigj duke thënë se nuk kishte menduar se do ti kërkonin ditën e sotme një shifër se sa fëmijë dhe të rinj janë dhe prandaj nuk ka një shifër.

Duma ndërhyri duke thënë se problem kryesor është që rinia po ikën nga vendi dhe ministria e rinisë nuk bën një krahasim dhe nuk ka shifra.

Pas ndërhyrjeve të anëtarëve të tjerë të komisionit, Duma ka kërkuar mbylljen e komisionit duke u kthyer pas disa minutash ku tha se për aq kohë sa nuk ka shifrat, nuk mund të diskutohet për buxhetin.

Pas kësaj, Muzhaqi tha se gjatë ditën do të ketë me shkrim të gjitha të dhënat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë