Gazeta Si – Stadiumi ‘Loro Boriçi’ po bëhej gati të festonte fitoren, por buzëqeshja e shkodranëve ngriu në minutën e 100-të. Erzeni barazoi rezultatin në 2-2, duke i hequr skuadrës së Josës 2 pikë të çmuara në javën e 10-të të Superiores.
U dhanë 6 minuta shtesë në fakt dhe deri në atë moment Vllaznia krysonte 2-1, me golat e Aralicës dhe Malës, ndërsa shijakasit kishin shkurtuar me Nonato. Loja u zgjat më tej, duke shkaktuar një dramë të vërtetë te tifozët vendës.

Në minutën e 99-të arbitrja Emanuela Rusta akordoi një penallti për prekje të topit me dorë nga lojtarët e Vllaznisë. Vendimin e saj e konfirmoi dhe VAR-i. Nga pika e bardhë u tregua i saktë Kahrimanoviç dhe gjithçka u mbyll 2-2. Erzeni duket se ua ka marrë dorën skuadrave të mëdha, pasi më parë ka mundur Partizanin dhe Tiranën.
Teuta mbetet në krizë. Durrsakët u mundën sot 0-1 nga Laçi dhe qëndrojnë në vend të fundit të Superiores. Bylisi pësoi humbjen e katërt radhazi, teksa u mund 3-0 nga Kastrioti në stadiumin e Kamzës. Partizani luan të dielën me Egnatian, kurse Tirana me Kukësin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




