Futboll

FIFA ultimatum Tunizisë, rrezikon të përjashtohet nga Botërori

Gazeta Si – Tunizia mund të përjashtohet nga Botërori i Katarit, nëse qeveria e këtij vendi do të interferojë në çështjet futbollistike. Sipas ‘BBC’, paralajmërimi vjen nga FIFA, pas fjalëve të Kamel Deguiche. Ministri tunizian i Rinisë dhe Sporteve ka folur për shpërbërjen e zyrave të federatës.

Rregullorja është e qartë. Federatat që janë pjesë e FIFA-s duhet të jenë të lira, pa ndërhyrje ligjore dhe politike. Për këtë arsye, federata ndërkombëtare i konsideron veprimet e qeverisë tuniziane si një tentativë të qartë për të ndërhyrë në punët e futbollit.

Ekipi i Tunizisë. Gazeta Si, 29 tetor 2022

FIFA i ka kërkuar federatës tuniziane shpjegime. Nëse Tunizia nuk respekton rregullat e FIFA-s, do të ketë anksione sipas ligjeve të saj, përfshirë edhe pezullimin e kombëtares tuniziane. Kjo gjë është bërë e qartë me anë të një letre të dërguar nga Zyrihu për sekretarin e federatës së Tunizisë.

Për momentin është vetëm një paralajmërim, por mjaft serioz. Tunizia bën pjesë në grup me Francën, Danimarkën dhe Australinë në Botëror, por rrezikon të mos luajë. Edhe precedentët e mëparshëm lënë pak vend për shpresë.

FIFA ka vepruar me dorë të hekurt në rastet kur qeveria ka ndërhyrë në futboll, siç është rasti Kenias, Zimbabves dhe Indisë. Në Tunizi shqetësimi po rritet ndjeshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë