Ekonomi

Rama nga Bulqiza: Shqipëria e favorizuar nga BE-ja, vendi që merr më shumë fonde në rajon

Gjatë një takimi me fermerët e zonës së Bulqizës, në Shupenzë, Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria ka marrë më shumë fonde nga BE-ja se sa vendet e tjera të rajonit. Megjithatë, ai shtoi se këto fonde nuk mund të jepen për fermerët, apo blegtorët që nuk kanë dokumentacionin e duhur.

“Në lidhje me këtë ngërç, hapi tjetër i qeverisë do të jetë lehtësimi i fermerëve për pajisjen me dokumentacionin e duhur për pronësitë e tokave”, tha Rama ndërsa theksoi se shpesh herë letrat e pronësisë në fshat bëhen shkak që të mund të mos financohen pikat e grumbullimit.

“Ka disa që kanë tokën, e kanë pa konflikt, por pa letra. Ajo zgjedhje që ne do t’i japim kësaj tani është se nëse vjen dikush dhe thonë duam të bëjmë një x investim, ne do t’ja regjistrojmë atë copë toke që është për këtë aktivitet, me barrë që nëse shfaqet një x problem këtë problem do e ketë me shtetin jo personin. Kjo është mundësi teorike, sepse këto toka janë toka që nuk kanë konflikte.

 E fundit që kam është nevoja për t’u fokusuar te prodhimet që kanë më shumë kërkesë në treg.
Nëse duam rezultat tjetër duhet të bëjmë gjë tjetër, sepse shikojmë në TV kur dikush hedh mollët, vezët apo qumështin dhe bërtet se shteti nuk është aty. Ata që hedhin mollët nuk duan të pranojnë që ai varietet nuk ka treg”, vijoi më tej Rama.

Ndërsa ministrja e bujqësisë, Krifca tha se pavarësisht krizës botërore për shkak të luftës në Ukrainë, prodhimi bujqësor në Shqipëri ka paraqitur progres.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë