Kosova

Komandanti i KFOR takon lideret serbë: Nuk do lejojmë përshkallëzim të situatës

Gazeta Si – Në veri të Kosovës janë shënuar incidentet e para kur janë djegur disa makina, duke paralajmëruar se më 1 nëntor, kur është afati i fundit mund të ketë një rritje të tensionit.

Tensionet erdhën menjëherë pasi presidenti Aleksander Vuçiç refuzoi ndryshimin për targat nga serbët e Kosovës, pas takimit që mbajti me liderët e Listës Serbe dhe mbledhjes së Këshillit të Sigurisë.

Për të parandaluar përshkallëzimin e situatës, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, është takuar pasditen e enjtes me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiç dhe kryetarët e katër komunave veriore të Kosovës.

Komandanti i KFOR-it Ristuccia dhe Vjosa Osmani. Gazeta Si, 27 tetor 2022

Gjatë këtij takimi, komandanti i KFOR-it diskutoi për situatën e përgjithshme, veçanërisht për një komunikim të besueshëm dhe transparent dhe për sigurinë në veri të Kosovës.

Përmes një komunikate për mediat nga KFOR-i, thuhet se Ristuccia e informoi Rakiçin dhe përfaqësuesit e komunave për aktivitetet dhe përpjekjet e vazhdueshme të KFOR-it për të parandaluar çdo përshkallëzim në të ardhmen.

“Komandanti i KFOR-it i siguroi kryetarët e komunave se KFOR-i po monitoron nga afër situatën, sidomos në veri të Kosovës dhe mbetet e fokusuar në zbatimin e mandatit që rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, – thuhet në komunikatë.

Gjithashtu, gjenerali Ristuccia u bëri thirrje të gjitha palëve që të shmangin veprimet e njëanshme, të përmbahen nga dhuna dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog. Lista Serbe, pas një takimi që kishin me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç në Beograd, paralajmëruan se do të bllokojnë rrugët në hyrje-dalje të Mitrovicës së veriut për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë rreth targave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë