Zëvendëskryeministri i Kosovës për Integrim Europian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, sot(27 tetor)do të marrë pjesë në një tryezë diskutimi për dialogun politik në Beograd.
Bislimi, që njëherësh është udhëheqës i bisedimeve me Serbinë në nivel të kryenegociatorëve, do të marrë pjesë në diskutimet me temën “Kosova dhe perspektiva europiane e rajonit”, në kuadër të Forumit për Marrëdhënie Etnike.
Bislimi do të qëndrojë edhe të premten në Beograd për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë së Beogradit dhe do të jetë pjesë e panelit me temën “Kosova dhe Serbia – shmangia e rrugës pa dalje”.
Kjo nuk është hera e parë që Bislimi viziton Serbinë. Në shtator, ai së bashku me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, kishin vizituar komunat në jug të Serbisë, të banuara me shumicë shqiptare.
Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për normalizimin e raporteve me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian që nga viti 2011.
Faktori ndërkombëtar po bën përpjekje që të inkurajojë palët që ta përmbyllin këtë proces. Por, dy shtetet kanë qëndrime të ndryshme sa i përket fundit të procesit. Kosova kërkon që në një marrëveshje përfundimtare të përfshihet edhe njohja reciproke, ndërkaq Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




