Futboll

Superiore/ Partizani sot në testin durrsak, Vllaznia për kthesën

Gazeta Si – Superiorja luan sot dy nga ndeshjet e javës së 9-të të kampionatit, që mbyll fazën e parë. Partizani shkon në Durrës për t’u ndeshur me Teutën, kurse Vllaznia pret Bylisin në Shkodër.

Për Partizanin kryesues do të jetë një provë e vështirë transferta durrsake. Teuta vjen pas fitores në Rrogozhinë, e para në këtë kampionat, dhe e ka kaluar ngërçin psikologjik. Trajneri Kolela ka theksuar se të tijtë duhet ta interpretojnë këtë ndeshje si të ishte një derbi.

Barazimi pa gola me Kastriotin ka lënë shije të hidhur në kampin e kuq dhe një tjetër hap fals do ta komplikonte çështjen e kryesimit. Diferenca me Tiranën, që luan të shtunën me Erzenin, është vetëm një pikë.

Vllaznia para ndeshjes në Laç. Gazeta Si, 21 tetor 2022

Një ndeshje të rëndësishme luan sot edhe Vllaznia. Shkodranët nuk fitojnë prej tri javësh dhe ndaj Bylisit janë ‘të dënuar’ për të marrë trepikëshin. Rezultatet e fundit kanë bërë që Vllaznia të humbasë jo pak terren në renditje.

Trajneri Mirel Josa ka bërë apel për një skuadër më të egër në fushë, që të luftojë më fort për të shkuar te fitorja. Bylisi vjen pas dy humbjeve radhazi në jëtë ndeshje.

Tri ndeshjet e tjera, Tirana-Erzeni, Kukësi-Egnatia dhe Kastrioti-Laçi, luhen nesër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë