Gazeta Si – Mançester Junajtid merr masa për Kristiano Ronaldon pas gjestit të papranueshëm që portugezi bëri në ndeshjen e fundit. Ai shkoi në dhomat e zhveshjes para se të mbyllej ndeshja dhe për të disatën herë është bërë çështje.
CR7 prishi festën e fitores me Totenhemin. Pasi qëndroi në stol gjithë kohën, shkoi të ndërrohej para vërshëllimës përfundimtare. Sipas ‘Daily Mail’, portugezi refuzoi të luante në minutat e fundit, ndaj dhe klubi ka vepruar me ‘dorë të hekurt’. Mançester Junajtid ka njoftuar për mungesën e tij ndaj Çelsit.

Sipas disa mediave të tjera angleze, Ronaldo është lënë jashtë skuadre dhe nuk do të stërvitret me grupin. “Kristiano Ronaldo nuk do jetë pjesë e skuadrës për ndeshjen e së shtunës me Çelsin. Pjesa tjetër është e përqendruar në përgatitjen e kësaj sfide”, – shkruhet në njoftimin e Junajtid.
Në këtë pikë, ndarja e sulmuesit me klubin anglez është e sigurt në janar. Është e pamundur të rregullohet marrëdhënia me trajnerin Ten Hag, me të cilin nuk pati asnjëherë ‘dashuri’. Tashmë Ronaldo ka prishur raportin me gjithë ambientin, edhe tifozët i kanë kthyer shpinën dhe kërkojnë largimin e tij në respekt të fanellës së lavdishme të ‘Djajve të Kuq’.
Nëse ndëshkimi vazhdon edhe pas ndeshjes me Çelsin, siç pretendojnë disa media britanike, do të jetë një problem edhe për Portugalinë në prag të Botërorit. Në çfarë gjendje do të ishte ai, nëse ka një muaj pa luajtur?
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




