Futboll

Shkodra shijon magjinë e Championsit, Vllaznia i përulet Real Madridit

Gazeta Si – Atë himn që thuajse të gjithë në Shqipëri e dëgjojnë vetëm në televizor, shkodranët e dëgjuan ‘live’ sot në tempullin e tyre ‘Loro Boriçi’. Vllaznia në futboll për femra ua fali këtë kënaqësi, duke sjellë në qytet as më shumë e as më pak, por Realin e Madridit.

Tifozët shkodranë e kanë shijuar nga afër magjinë e një kompeticioni si Liga e Kampionëve. Vllaznia, skuadra e tyre e zemërs, nuk ia doli të marrë rezultat pozitiv, por pak rëndësi ka. Kjo skuadër e ka përmbushur misionin e saj, duke shkuar në grupet e Championsit.

Sa i përket ndeshjes, nuk ka nevojë për shumë komente. Diferencat janë vërtet të mëdha, mjafton të shohësh tabelën e statistikave, ku spanjollet kishin 72% të mbajtjes së topit, ndërsa në anën e Vllaznisë kishte disa 0.

Real Madrid fitoi 0-2 në Shkodër, me 2 gola të shënuar në pjesën e dytë nga Gonzales dhe Karmona me penallti. Vajzave shkodrane nuk u mbeti gjë tjetër, veçse t’i përuleshin gjigantit europian. Ishte ndeshja e parë në grup për Vllazninë, që do të ndeshet edhe me Çelsin dhe PSG-në.

Vllaznia luajti në këtë ndeshje me një formacion të përzjerë, me 4 lojtare amerikane titullare. Pavarësisht merkatos së fuqishme që ka bërë presidenti Lazër Matija, është shumë e vështirë të përballohen klube me kaq emër të madh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë