Futboll

Vllaznia-Real Madrid, një mbrëmje speciale sot në ‘Loro Boriçi’

Gazeta Si – Real Madrid, një ndër klubet më të mëdha në botë, për të mos thënë më i madhi, ka ardhur para disa vitesh në Shqipëri për një miqësore me …Gramozin. Në atë kohë bëri bujë ardhja e gjigantëve spanjollë, të cilët rikthehen sot në vendin tonë për një ndeshje zyrtare.

Dhe vijnë me ekipin e femrave. Mbrëmja e sotme është speciale për Vllazninë dhe qytetin e Shkodrës. Luhet ndeshja e parë e fazës së grupeve në Championsin e futbollit të femrave, ku vajzat kuqeblu ia dolën të kualifikoheshin për herë të parë në histori.

‘Loro Boriçi’ pritet të mbushet me tifozë, ndoshta me shumë se kur luan Vllaznia e meshkujve. Është një mbrëmje e gjitha për t’u shijuar, për të parë një ndeshje grupesh Championsi dhe një emër kaq të madh si Real Madrid.

Jo vetëm Shkodra, por edhe gjithë të pasionuarit pas futbollit kanë një interesim të veçantë për këtë ndeshje të pazakontë për vendin tonë. Pavarësisht rezultatit, të gjithë urojnë që vajzat e Vllaznisë të luajnë një futboll sa më të bukur ndaj Realit. Ndeshja nis në orën 18:45.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë