Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të mërkurën(19 tetor) se Kosova ka qenë, dhe është palë konstruktive në dialogun me Serbinë, dhe ka gatishmëri që të rrisë angazhimin, me qëllim të intensifikimit të procesit.
Ajo i ka bërë këto deklarata pas takimit me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
“Shfrytëzova rastin për të shprehur pakënaqësinë tonë për moszbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara nga ana e Serbisë, duke përfshirë në veçanti refuzimin e vazhdueshëm nga ana e tyre për shpërbërjen e strukturave ilegale dhe kriminale, të cilat vazhdojnë t’i kërcënojnë edhe frikësojnë serbët e Kosovës dhe udhëhiqen nga individë të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara”.
Sipas saj, përveç refuzimit, Serbia vazhdon “t’i mbështesë ato financiarisht”.
Sipas autoriteteve në Kosovë, Millan Radoiçiç, është një prej krerëve të strukturave ilegale në veri të Kosovës.Ai aktualisht është në arrati.
Radoiçiç është nënkryetar i Listës Serbe, parti kryesore e serbëve në Kosovë.
Ai është edhe në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara nën dyshimet se, së bashku me biznesmenin nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviç dhe dhjetëra serbë të tjerë, i përkasin një rrjeti të lidhur me krimin e organizuar ndërkombëtar.
Ajo ka përmendur se angazhimi amerikan është i pazëvendësueshëm për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajon dhe ka thënë se Kosova po punon për anëtarësim në strukturat euro-atlantike.
Escobar, në anën tjetër, ka thënë se SHBA-ja mbështet rrugën e Kosovës në këtë drejtim.
“Jam krenar që them që Kosova ka kontribuar shumë për agjendën tonë të përbashkët dhe mendoj se ngjarjet e kësaj jave në Kosovë janë indikator i rëndësishëm si po kontribuon Kosova, në mënyrë pozitive, në agjendën e përbashkët për demokraci dhe liri. E falenderoj Kosovën që do të jetë nikoqire e atij organizimi këtë fundjavë”.
Më 22-23 tetor, Prishtina do të jetë nikoqire e Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë të njohur si Forumi WPS.
Ky forum po organizohet nga Presidenca e Kosovës, në bashkëpunim me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.
Sipas njoftimit, forumi pritet të mbledhë në Kosovë liderë nga rajoni dhe bota, akademikë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile.
Përndryshe, vizita e Escobarit më 19 tetor në Kosovë vjen në kohën kur Franca dhe Gjermania besohet se u kanë ofruar një propozim liderëve të Kosovës dhe Serbisë, që do të mund të ishte një kornizë e re për dialogun midis dy shteteve, për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin e raporteve.
Sipas presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ky propozim konsiston në atë që shteti i tij të lejojë që Kosova të anëtarësohet në institucione dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




