Drejtësia

Grabitja e miliona eurove, Klement Çala del nga regjimi ‘41 Biss’ në burg

Gazeta Si - Klement Çala, i dënuar nga Gjykata e Posaçme për grabitjen e parave në Rinas, është nxjerrë nga regjimi “41 Biss”.

Gjykata ka pranuar kërkesën e Çalës dhe ka shfuqizuar urdhrin e 5 majit 2022 të ministrit të Drejtësisë.

Pak ditë më parë, SPAK ka kërkuar që Çala të dënohet me 20 vite burg për grabitjen e Rinasit.

Për të njëjtat akuza, vëllai i tij Eldi Çala u dënua me 17 vite burg. E njëjta masë dënimi u dha edhe për të pandehurit e tjerë të dosjes, përfshi edhe Alkond Bengasin, që gjatë hetimit të dosjes pranoi të bashkëpunonte me drejtësinë si i penduar.

Por kur dosja kaloi në gjykim ai prishi marrëveshjen, duke pretenduar se rrëfimi në prokurori i ishte marrë në kushte presioni.

Në prill të vitit 2019, Klement Çela së bashku me disa persona të tjerë, ata hynë në pistën e aeroportit të Rinasit me një makinë me logo “Hetimi Tatimor” dhe grabitën sasinë e parave në kohën që do të transportoheshin me avion jashtë shtetit.

Autorët u ndoqën nga policia, dhe nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vdekur Admir Murataj.

Deri tani policia ka vënë në pranga 7 prej bashkëpunëtorëve. Në kërkim ngelet vetëm Talo Çela, që dyshohet se ka modifikuar furgonin me logo “Hetimi Tatimor” me të cilën u realizua grabitja.

Klement Çala akuzohet edhe për grabitjen e blindave me para në vitin 2017 në rrugën Qafë Kashar-Rinas.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë