“Inflacioni vazhdon të mbetet një sfidë kryesore për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë ekonomike të vendit, pavarësisht se ekonomia shqiptare do të vazhdojë të rritet”, tha Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.
Në Mbledhjet Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), të cilat u zhvilluan në SHBA, Sejko theksoi se fillimi i normalizimit të politikës monetare ka qenë i nevojshëm për të zbutur inflacionin ndërkohë që ka pasur një vigjilencë të shtuar ndaj normave më të larta të interesit për të ruajtur stabilitetin financiar.
Gjatë takimeve, Guvernatori shtoi se ekonomia shqiptare ka përballuar mirë goditjet e shumta të viteve të fundit, si tërmeti i vitit 2019 e pandemia COVID-19.
“Megjithëse ekspozimet e drejtpërdrejta të Shqipërisë ndaj konfliktit Rusi – Ukrainë janë të kufizuara, Shqipëria tani po përballet me sfida që vijnë si pasojë e rritjes së çmimeve ndërkombëtare të energjisë dhe ngadalësimit ekonomik në Europë”, tha Sejko ndërsa shtoi se aktiviteti ekonomik në vend ka vijuar të shënojë përmirësim.
Përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së mbështetën ndryshimin e kursit të politikës monetare të ndërmarrë nga BSH-ja, si dhe shtuan se kushtet monetare janë ende akomoduese, pavarësisht nga rritjet e njëpasnjëshme e normës së interesit.
Guvernatori tha se rritja ekonomike do vijojë të përfitojë nga stabiliteti i përgjithshëm, nga bilancet e shëndosha të familjeve dhe bizneseve, si dhe nga mbështetja me kredi nga sektori bankar, i cili paraqitet i shëndetshëm, likuid dhe i mirëkapitalizuar.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së shtuan se sistemi bankar i ka përballuar mirë goditjet e njëpasnjëshme dhe inkurajuan vijimin e mëtejshëm të përpjekjeve drejt de-euroizimit të ekonomisë, si një masë e nevojshme për një transmetim më të mirë të politikës monetare dhe ruajtjes së stabilitetit financiar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



