Ekonomi

15 rivalë për Këshillin e Bankës, Kuvendi nis “testimin”

Kuvendi nis dëgjesën me 15 kandidatët që duan të jenë anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Komisioni parlamentar i Ekonomisë zhvillon sot seancën me 15 kandidatët që i janë përgjigjur thirrjes publike të Parlamentit më 4 tetor për plotësimin e tre vendeve vakante. Në mes të tyre është sërish emri i ish-ministrit të Financave në qeveritë socialiste, Arben Malaj. Ai ka qenë anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, pasi u zgjodh duke marrë mandatin e Ermelinda Meksit në këtë institucion. Mandati i tij ka përfunduar, pasi Malaj plotësoi atë të koleges së tij së dikurshme në qeverinë socialiste.

Kryeministri Edi Rama dhe ish-ministri i Financave, Arben Malaj

Malaj ka qenë një ndër figurat kryesore politike e njihej si një mbështetës ish-kryesocialistit Fatos Nano. Për shkak të përplasjeve në PS në vitin 2013 me kryesocialistin Edi Rama, Malaj kandidoi si i pavarur në zgjedhjet parlamentare në qarkun e Vlorës, por nuk fitoi.

Por, në vitin 2017 Malaj pati një afrim me PS-në. Më pas ai u zgjodh edhe si kryetar i Këshillit Ekonomik në Bashkinë e Tiranës, post i ofruar nga kryebashkiaku Erjon Veliaj.

Gjithashtu për anëtar të Këshillit konkurron edhe Leontijev Çuçi, ish-deputet i PS-së dhe drejtues i sekretariatit të kësaj partie gjatë kohës që PS-në e drejtonte Fatos Nano, dikur ka mbajtur edhe postet si ambasador i shtetit shqiptar në Itali dhe në Zvicër.

Ndër 15 emrat e tjerë është edhe Vjollca Braho, përfaqësuese e PDIU-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Më parë, kur PDIU ishte në koalicionin qeverisës me PS-së, Braho mbajti postin dhe të zv.ministres në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Aktualisht është nënkryetare e këshillit bashkiak të Tiranës, anëtare e PDIU-së.

Për të qenë anëtar i Këshillit Mbikëqyrës së Bankës konkurron edhe Artan Hoxha, i cili ka qenë ministër i Tregtisë dhe Bashkëpunimit Ekonomik në vitin 1992-1993 gjatë qeverisë së drejtuar nga PD-ja me kryeministër Aleksandër Meksi.

Në garë janë edhe profesorët Luljeta Minxhozi dhe Sulo Hadëri.

Neni 161 i Kushtetutës përcakton se, Banka e Shqipërisë drejtohet nga një këshill, i cili kryesohet nga Guvernatori. Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.

Gjithashtu anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me një mandat 7-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje.

Të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, mbështetur në propozimet e bëra si më poshtë: -Pesë anëtarë propozohen nga Kuvendi; -Tre anëtarë propozohen nga Këshilli i Ministrave; -Një anëtar propozohet nga Këshilli Mbikëqyrës. Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi, me propozimin e Presidentit të Republikës.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë zgjedh dhe emëron zëvendësguvernatorët, mbështetur në propozimin e bërë nga guvernatori.

Kandidatët për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës duhet të jenë persona që gëzojnë ndershmërinë dhe pastërtinë morale, si dhe kanë: arsimin e lartë ekonomik ose juridik; përvojë profesionale në çështje financiare dhe bankare; kualifikime profesionale të profilit; përvojë pune mbi pesë vjet në administratën publike ose në institucionet financiare dhe bankare; të mos kenë pengesa të parashikuara në nenin 47.

Fillimisht pati një debat në lidhje me mandatin e guvernatorit Genti Sejko, i cili u zgjodh në këtë detyrë pas shkarkimit të Ardian Fullanit. Por mbi bazën e interpretimeve Sejko do ta ushtrojë të plotë detyrën e tij, pas votimit që Kuvendi bëri më 5 shkurt të vitit 2015. Anëtarëve të KM-së së Bankës që iu ka përfunduar mandati janë Dhori Kule, Elisabeta Gjoni, Ela Golemi, Arben Malaj dhe Petraq Milo.

Pas kësaj seance dëgjimore, komisioni parlamentar i Ekonomisë do të hartojë një raport për kandidatët që vlerëson se mund të jenë anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Lista e kandidatëve që kanë aplikuar në Kuvend

1-      Vjollca Braho       

2-      Bardhyl Ceku          

3-      Leontijev Çuçi       

4-      Sulo Hadëri

5-      Artan Hoxha         

6-      Altin Hoti                    

7-      Oljan Kanushi       

8-      Genc Koxhaj          

9-       Arben Malaj         

10-   Visar Malaj           

11-   Luljeta Minxhozi    

12-  Ergys Misha         

13-  Nikollaq Pano          

14-  Drini Salko                    

15-  Arben Xibri            


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë