Drejtësia

Tentuan të korruptonin dëshmitarin e drejtësisë, SPAK çon për gjykim dy të akuzuarit

Gazeta Si - Pas mbylljes së hetimeve, SPAK ka çuar dosjen në gjyq dhe ka marrë të pandehur Gentian Goskovën, i njohur si “Reqi i Korçës” dhe bashkëpunëtorin e tij Ervis Kosova.

Këta dy shtetas u vunë nën hetim nga SPAK pasi tentuan të korruptonin dhe manipulonin dëshmitarin e prokurorisë, Luftar Reçi të tërhiqte dëshminë ndaj Emiljano Shullazit.

Ky i fundit ka dëshmuar kundër Lulzim Berishës, Emiljano Shullazit, Plaurent Dervishit, Viktor Imerit, Indrit Taullaut dhe Indrit Rusit, si autorë të përfshirë në vrasjen e biznesmenit Vajdin Lamaj dhe Klodian Salit, ngjarje këto të ndodhura në shkurt të vitit 2005.

“Hetimi i deritanishëm ka provuar se të pandehurit Gentian Goskova i njohur me pseudonimin (Reqi) dhe i pandehuri Ervis Kosova, në bashkëpunim mes tyre dhe me persona të tjerë, kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit”, në formën e propozimit dhe premtimit të përfitimit të parregullt të dëshmitarit, për të siguruar nga ky i fundit deklarime të rreme”, thuhet ne njoftimin e SPAK.

SPAK, ka administruar një sërë provash, si përgjime dhe fotografim të takimeve, që dy personat e akuzuar kanë kryer me individë të ndryshëm të familjes Reçi, me qëllim manipulimin e dëshmitarit të SPAK, Luftar Reçi.

Ai ka treguar për dy ngjarje shumë të rënda, ku në muajin shkurt 2005 në Tiranë u vranë Vajdin Lamaj, Artan Arsi dhe në Durrës u ekzekutua, Klodian Saliu.

Sipa dosjes hetimore, për Reçin ka pasur një plan për eliminimin e tij fizik. Nëse Reçi nuk tërhiqte dëshminë kundrejt pagesës, atëherë me 100 mijë euro ai do të helmohej nga gardianët e burgut nëpërmjet ushqimit.

Eliminimi i Reçit, sipas SPAK do të kryej me agjentë helmues që do të futeshin nga jashtë burgut nëpërmjet një polici, kundrejt shpërblimit prej 100 mijë eurosh. Por ky plan disa javor ka dështuar, pasi SPAK ka mundur të sigurojë informacion dhe ta parandalojë.

Në muajin shkurt të këtij viti prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) mbylli hetimet për vrasjet e bujshme të Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut, ngjarje të ndodhur para 17 vjetësh.

Ndaj tyre SPAK ka ngritur akuzat e Vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake me pasoja të rënda”, “Grup i strukturuar kriminal”, si dhe të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë