Futboll

Kasilas ironizoi se është gej, reagon edhe Pujol: Shaka pa vend!

Gazeta Si – Edhe Karles Pujol kërkon ta mbyllë çështjen ‘Kasilas’. Ish-mbrojtësi i Barcelonës dhe Spanjës ka dashur të kërkojë falje për postimin ironik në Tuiter, ku komentonte ‘coming out’-in e supozuar të ish-portierit. Një postim që më pas u fshi dhe Kasilas bëri me dije se i kishin hakeruar profilin.

“Bëra një gabim, – ka shkruar Pujol. – Ju kërkoj ndjesë për shakanë pa kripë, pa qëllime të këqija por totalisht të pavend. E kuptoj që mund të ketë prekur disa njerëz. Respektoj dhe mbështes komunitetin LGBTIQ+”.

Të dielën bëri bujë të madhe një postim në rrjetet sociale i ish-portierit të Realit: “Shpresoj të më respektoni, jam gej”, – shkruante Kasilas. Postimi u fshi menjëherë dhe më pas erdhi deklarata për hakërrimin e faqes.

Shumë njerëz në Spanjë e kanë marrë postimin e Kasilasit si një tentativë për t’iu përgjigjur me ironi gosipeve të vazhdueshme për të dashurat e tij të fundit.

Pujol, një rival historik në ‘El Clasico’, por shok betejash me fanellën e Spanjës, reagoi pas postimit fillestar me një ironi jo pak të diskutueshme: “Erdhi momenti për të treguar historinë tonë, Iker”, – shkruante katalanasi.

Të dy mesazhet më pas u zhdukën nga faqet dhe dy ish-futbollistët kanë kërkuar ndjesë publikisht, edhe pse në mënyrë të ndryshme nga njëri-tjetri.

Çështja në fakt ka ngjallur shumë diskutime, që duket se do të vazhdojnë gjatë. Australiani Xhoshua Kavalo, që në tetor të 2021-shit ishte një futbollistët e parë profesionistë që deklaroi publikisht orientimin e tij seksual, ka reaguar për ngjarjen.

“Çfarë zhgënjimi të shohësh Kasilas dhe Pujol të bëjnë shaka me ‘coming out’ në futboll, – ka thënë australiani. – Është një situatë e vështirë ajo e personave LGBTQ+ dhe të shohësh dy legjenda si ata të tallen me këtë komunitet është mungesë e madhe respekti”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë