Gazeta Si – Milani mund 2-0 Juventusin në ‘big match’-in e javës në Serinë A. Me nga një gol në çdo pjesë, kuqezinjtë kanë likuiduar torinezët dhe janë ngjitur në kuotën e 20 pikëve. Tomori dhe Brahim Diaz janë autorët e golave për kampionët e Italisë.

Pjesa e parë ishte deri diku e barabartë, me ndonjë ngacmim më shumë të Milanit. Leao ishte pa fat, teksa goditi dy herë shtyllën pingule të portës së Sheznit. Në fundin e kësaj pjese kuqezinjtë kaluan në avantazh me mbrojtësin anglez Tomori, i cili përfitoi nga një rrëmujë në zonë, pas një goditjeje këndi.
Goli i dytë ishte nje veprim shumë i bukur solo i Brahim Diaz, i cili e justifikoi shumë mirë besimin për fanellën e titullarit. Spanjolli depërtoi në qendër drejt zonës dhe mposhti portierin e Juventusit për herë të dytë.
Skuadra e Alegrit, i cili filloi menjëherë ndërrimet, kishte më shumë se gjysmë ore kohë për të reaguar, por nuk mundi të futej në lojë, duke pranuar humbjen. Milani kryeson tashmë bashkë me Napolin dhe Atalantën, që kanë një ndeshje më pak. Juventusi ka 7 pikë më pak (13 ndaj 20) dhe mban vendin e 8-të.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




