Shtatë vite pasi u dënua me 16 muaj burg për akuzën e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, dosja penale ndaj ish-ministrit të qeverisë “Berisha”, Spiro Ksera, do të kalojë për shqyrtim, në Gjykatën e Lartë. Kjo gjykatë ka caktuar datën 18 tetor për shqyrtimin e rekursit të bërë nga ish-ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale dhe tre ish-vartësve të tij kundër vendimit të Apelit Tiranë.
Në Gjykatën e Lartë ish-ministri kërkon prishje të vendimit të Shkallës së Parë dhe Apelit Tiranë dhe deklarimin e tij të pafajshëm, qëndrim që e ka mbajtur gjatë hetimit dhe gjykimit. Shqyrtimi i çështjes do të bëhet në dhomë këshillimi, pa praninë e palëve, nga një Kolegj Penal i përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni.
Ish-zyrtari i lartë iu drejtua gjykatës se Lartë në janar 2017, por dosja nuk kaloi më herët për gjykim për shkak të ngarkesës dhe ngërçit që përfshiu këtë gjykatë pas nisjes së vetingut.
Dhjetorin e vitit 2016, Apeli i Tiranës la në fuqi deklarimin e fajshëm të ish-ministrit dhe tre ish-vartësve të tij. Sipas gjykatës, ish-zyrtarët e Ministrisë së Punës e Çështjeve Sociale kishin përvetësuar 30 milionë lekë nga buxheti i ministrisë, duke bërë fiktivisht, vetëm në letra, disa aktivitete për shtresat në nevojë. Ksera u arrestua në 29 janar 2016 dhe qëndroi në burg deri pak ditë pas vendimit të Apelit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




