Gazeta Si – Pas humbjes në derbi, Partizani kryesor luan sot një tjetër ndeshje të vështirë. Të kuqtë shkojnë në Shkodër për t’u ndeshur me Vllazninë, që deri tani ka treguar shumë ulje-ngritje, edhe pse në opinionin futbolldashës konsiderohet pretendente për titull.
Shkodranëve po u mungon shumë Liridon Latifi, ende jashtë për shkak dëmtimi. Megjithatë, të besuarit e trajnerit Mirel Josa pritet që sot të tregojnë vlerat e tyre më të mira, siç ndodh gjithmonë në sfidat me Partizanin.

Për trajnerin Kolela ka pasur jo pak kritika pas derbit, sepse skuadra e tij humbi edhe pse ishte në superioritet numerik. Italiani fajësoi lojtarët për gabimet individuale për atë ndeshje. Në Shkodër duhet patjetër rezultat pozitiv për të shmangur krizën.
Java e 7-të e Superiores zhvillon sot edhe dy ndeshje të tjera. Tirana pret Laçin dhe shihet si favorite absolute. Skuadra e Shehit ka entuziazëm pas fitores në derbi, ndërsa Laçi po shfaq probleme të mëdha këtë sezon me 5 humbje radhazi. Erzeni ndeshet me Egnatian.
Të shtunën luhen dy ndeshjet e tjera të kësaj jave, Kastrioti-Teuta dhe Kukësi-Bylis. Renditjen e kryeson Partizani me 12 pikë, i ndjekur nga Tirana, Bylis dhe Erzeni me nga 11 pikë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




