Rreth 300 anëtarë të Gardës Kombëtare të Indianës po dërgohen në Kosovë për një mision nëntë mujor. Mediat ndërkombëtare i kanë bërë jehonë dërgimit të këtyre trupave ushtarake amerikanë që përpara mbërritjes në bazën Bondstill janë ndalur fillimisht në Gjermani.
Ekipi luftarak i Brigadës së 76-të të Këmbësorisë së Divizionit të 38-të të Këmbësorisë, i cili përfshin afërsisht 20 ushtarë nga Indiana Veriperëndimore, përben rotacionin e 31-të te trupave amerikane.
“Burrat dhe gratë e kësaj brigade do të punojnë për të siguruar që pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës do të mbeten të forta dhe se qëllimi ynë kolektiv për shtete të pavarura, multietnike në shoqëri që bashkëjetojnë në mënyrë paqësore në Ballkanin Perëndimor do të realizohet”, tha gjeneralmajor Dale Lyles.

Më tej ai u shpreh se “dislokimi ynë demonstron vendosmërinë e Amerikës për të mbrojtur sovranitetin e kombeve të lira dhe demokratike si Kosova”, shtoi ai.
Në Kosovë, ushtarët e task-forcës do të udhëheqin Komandën Rajonale-Lindje nën autoritetin e NATO-s në mbështetje të Operacionit Joint Guardian, një mision shumëkombësh që ruan lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës që nga viti 1999. Tensionet më të fundit në Kosovë që u shkaktuan për shkak të vendimit të qeverisë Kurti për reciprocitetin detyruan që trupat e NATO-s të rrisin prezencën e tyre.
Serbët e veriut të Kosovës verën e shkuar ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët në pikat e kalimit kufitar duke kundërshtuar vendimin për reciprocitetin. Situata u normalizua pas shtyrjes së zbatimit të vendimit dhe të ndërhyrjes së fuqishme ndërkombëtarëve, përfshirë këtu edhe shefin e NATO-s, Jens Stontelberg, i cili një takim të zhvilluar si me presidentin serb Aleksnder Vuçiç i ka bërë të ditur se NATO do të ndërhynte në çdo kohë në ruajtjen e stabilitetit të Kosovës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




