Banka e Shqipërisë ka vendosur të rrisë për herë të katërt brenda pak muajsh normën bazë të interesit, në një përpjekje për të luftuar inflacionin, që është në nivelet më të larta të 20 viteve të fundit.
Guvernatori i BSH, Gent Sejko në një konferencë për media tha sot (5 tetor) se norma bazë është rritur me 0.5 pikë përqindje duke shkuar në nivelin 2.25%.
Ky është vendimi i katërt pas 3 gushtit ku norma bazë u rrit nga 1.25% në 1.75%.
Në mars u shënua kthesa e parë e politikës monetare nga kahu lehtësues, – tendencë që kishte nisur që nga marsi i vitit 2011, në atë shtrëngues.
Sejko tha se inflacioni i lartë vijon të mbetet rreziku kryesor dhe ai do të arrijë në objektivin e tij në gjysmën e parë të vitit 2024.
“Inflacioni u rrit në muajt korrik dhe gusht, 7.5% dhe 8%. Kontributi kryesor në inflacion vjen nga rritja e çmimit të ushqimeve dhe naftës. Tendenca e rritjes së çmimeve po vjen tek të gjitha produktet. Lufta në Ukrainë shkaktoi probleme në tregjet e ushqimeve bazë, të lëndëve energjitike dhe lëndëve të tjera bazë.
Ekonomia shqiptare vijoi me rritje në 6 mujorin e parë të vitit 2022, ndërsa u ul në 3 mujorin e dytë të këtij viti.
Sipas INSTAT, rritja ekonomike zbriti në 2.2% nga 6% në 6 mujorin e parë. Konsumi familjar solli norma të qëndrueshme rritje. Kjo tendencë është prezente në tregun e punës. Rritja e kërkesës për punë dhe mungesa e fuqisë punëtore po ushtron presion në rritjen e pagës në sektorin privat. Kursi i këmbimit të lekut mbetet në pozita të forta në krahasim me euron”, tha Sejko.
Përkundrejt këtyre zhvillimeve Sejko tha se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm, ndonëse ritmi i rritjes do të jetë disi më i ulët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




