Ekonomi

Banka Botërore ndryshon parashikimet për Shqipërinë. Rritja ekonomike në rënie

Nga Gazeta ‘SI’ – Banka Botërore njoftoi se ekonomia e Shqipërisë do të rritet me 3.2% këtë vit, ndërsa më 2023 ritmet e rritjes do të jenë 2.3%. ulje me 1.2 pikë për qind në krahasim me parashikimet e pranverës.

Për të gjithë Ballkanin Perëndimor, rritja ekonomike pritet të arrijë në 3.4% deri në fund të vitit, por sipas BB-së, me ritmin e rritjes që ka tani, prodhimi mund të rikuperohet plotësisht dhe të kapërcejë nivelet para pandemisë.

Banka thekson se në Shqipëri, Maqedoni e Veriut dhe Kosovë, janë rritur fort presionet për subvencionim të energjisë elektrike. Serbia është dëmtuar pjesërisht nga reduktimi i gazit rus në Europë, por rezervat e kanë ndihmuar në afatshkurtër.

Sipas BB-së, Bosnjë Hercegovina dhe Serbia po rrisin presionin mbi borxhin publik dhe kostot e shërbimit të tij, të cilat tashmë janë të larta.

“Rritja potenciale në rajon mbetet e kufizuar nga nevoja për reforma strukturore për të rritur produktivitetin, rritja e konkurrencës dhe investimet në kapitalin njerëzor dhe forcimin e qeverisjes. Në periudhën afatmesme, Plani Ekonomik dhe i investimeve i BE-së i miratuar së fundmi për Ballkanin Perëndimor do të mobilizojë fonde për të mbështetur konkurrencën dhe rritjen gjithëpërfshirëse. Gjithashtu tranzicioni i gjelbër dhe ai digjital, pritet të mbështesin përpjekjet për reforma. Megjithatë, pasiguria politike në rritje në rajon mund të çojë në vonesa në progresin e reformave pasi ngërçet e brendshme pengojnë përthithjen efikase të fondeve dhe krijojnë vonesa në zbatimin e reformave.”

Aktiviteti ekonomik pritet të mbetet në nivele shumë të ulëta dhe përgjatë vitit të ardhshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë