Futboll

Krisje përfundimtare me Junajtid, Ronaldo do të largohet në janar

Gazeta Si – Kristiano Ronaldo dhe Mançester Junajtid i kanë prishur përfundimisht marrëdhëniet dhe portugezi do të largohet nga Anglia në janar. Pika që e derdhi vazon ishte qëndrimi në stol për derbin e së dielës, ku Junajtid humbi 6-3.

Mediet britanike janë të bindura për largimin e yllit portugez. Ato kanë evidentuar faktin se CR7 ka luajtur vetëm 80 minuta në Premier Ligë dhe nuk e sheh veten titullar që prej humbjes 4-0 me Brentfordin në fillim të shtatorit.

Zhgënjimi i Ronaldos në stol. Gazeta Si, 4 tetor 2022

Pesë herë fituesi i ‘Topit të Artë’ bëri gjithçka në verë për të ndryshuar ambient, por gjithë përpjekjet e agjentit të tij Jorge Mendes për një skuadër të madhe në Europë nuk dhanë rezultat. Ronaldo synon të luajë sërish në Champions dhe për këtë arsye pak javë më parë refuzoi një ofertë 2-vjeçare prej 242 milionë eurosh nga Arabia Saudite, nga Al-Hilal.

Në një muaj e gjysmë raporti me trajnerin Ten Hag është krisur totalisht. Mosaktivizimi në derbi dhe deklarata e trajnerit holandez për mungesën e portugezit kanë shkaktuar polemika në Angli.

Edhe Ronaldo nuk e pëlqeu deklaratën e Ten Hag, i cili tha: “Nuk e aktivizova për respekt të tij dhe karrierës që ka. Po humbisnim 4-1 dhe Antoni Martial kishte nevojë për pak minuta pas kthimit nga dëmtimi”.

Tani i takon agjentit Mendes të gjejë një skuadër për 37-vjeçarin portugez, një skuadër që të marrë pjesë në 1/8-at e Ligës së Kampionëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë