Kosova

Pas një muaji grevë, nis viti shkollor në Kosovë

Pas pezullimit të grevës pesë javore, sot(3 tetor) filloi mësimi në të gjitha nivelet e arsimit para-universitar në Kosovë.

Vendimi për rihapjen e shkollave u mor nga sindikalistët e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) të cilët ishin në grevë nga 25 gushti, por më 1 tetor vendosën që grevën ta pezullojnë deri në janar të vitit 2023.

Kryetari i Këshillit Grevist të sindikatave dhe njëherësh kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, i ka bërë thirrje Qeverisë që këta tre muaj t’i shfrytëzojë për të dialoguar me sindikalistët.

Ndërkohë, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbëri Nagavci, ka paralajmëruar se do të rishikohet kalendari mësimor, me qëllim të kompensimit të orëve të humbura.

“Kalendari i vitit shkollor duhet të ndryshohet, andaj menjëherë të hënën (3 tetor) do të formojmë grupin punues për të rishikuar këtë Udhëzim Administrativ”, tha ministrja.

Megjithatë, kryesindikalisti i mësimdhënësve, Jasharaj, ka theksuar se nuk do të këtë kompensim të orëve të humbura, duke i kërkuar ministres Nagavci “që të mos bëjë kërkesa”.

Sindikalistët u futën në grevë me kërkesën prej 100 eurove shtesë mbi paga deri në miratimin e Ligjit të Pagave që ua rrit atyre pagat me koeficient.

Qeveria e Kosovës në fillim të shtatorit ndau nga 50 euro për të gjithë punonjësit e sektorit publik për t’u përballur me inflacionin, por as pas kësaj ndihme dhe pas dialogut midis grevistëve dhe Qeverisë, nuk u arrit që greva të ndërpritej.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë