Gazeta Si – Presidenti i Real Madrid del hapur kundër UEFA-s: “Nadal dhe Federer janë ndeshur më shumë se 40 herë, klubi im dhe Liverpuli vetëm 9 herë në 67 vjet. Pse t’ua privojmë tifozëve këtë spektakël? Trupa Gjyqësore Europiane, me zgjidhjen e saj, do të shënojë të ardhmen e futbollit”.
Florentino Perez nuk dorëzohet, por hidhet sërish në sulm. Projekti i parë i Superligës u mbyt në pak orë. Por ideja e një kampionati që të bashkojë ajkën e futbollit europian për Perez (edhe Laportën e Anjelin) është ende gjallë.
Presidenti i Realit shpreson që të marrë një impuls të ri nga sentenca e Trupës Gjyqësore Europiane, që pritet në fund të 2022-shit, ose në fillim të 2023-shit. Një sentencë që mund ta ndryshojë futbollin europian, nëse e konsideron veprën e UEFA-s si monopol.

Perez shpreson dhe ndërkohë jep mesazhe. Së fundi ai ka folur qartë: “Për të zgjidhur një problem më parë duhet ta evidentosh atë. Futbolli në Europë është i sëmurë dhe po humb lidershipin. Të rinjtë janë gjithmonë e më pak të interesuar për sportin tonë, kërkojnë një produkt me kualitet që kompeticionet aktuale europiane nuk e ofrojnë. Me gjithë respektin, gjykojmë se këto kompeticione duhet të ndryshojnë për të ofruar një produkt me kualitet për gjithë sezonin”.
Më tej Perez vazhdon: “Nadal dhe Federer janë ndeshur mbi 40 herë këto vite, Nadal dhe Gjokoviç 59. Reali me Liverpulin kanë luajtur 9 herë në 67 vjet, me Çelsin jemi ndeshur 4 herë. Nëse rregullat e futbollit do aplikoheshin në sportet e tjera, do të shihnim Nadal-Federer vetëm 3 herë”.
Sipas presidenti të Ralit, UEFA po shkon në drejtim të kundërt. Ai gjykon se modeli i ri i Championsit do t’i largojë më shumë tifozët dhe do të sjellë rrënimin e futbollit. Perez thekson se diçka po bëhet keq në Europë.
“Debati për Superligën nuk mund të reduktohet vetëm në formatin e saj. Drejtësia europiane po sheh monopolin e UEFA-s në futboll. Superliga nuk do jetë një kompeticion i mbyllur, sepse ka të hapura 25% të vendeve”, – është shprehur Perez.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




