Ekonomi

Sejko: Ekonomia pritet të zgjerohet në 4%. BSH do të vazhdojë politikën shtrënguese monetare

Sipas parashikimeve të Bankës së Shqipërisë, ekonomia pritet të zgjerohet me ritme të kënaqshme këtë vit, në rreth 4%, ndërsa vitet në vijim rritja pritet të ngadalësohet në 2-3%.

Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko, i pranishëm në konferencën rajonale të ministrave të financave dhe guvernatorëve të rajonit që u mbajt në Mal të Zi, tha se pavarësisht goditjeve të njëpasnjëshme që kanë sjellë vitet e fundit, ekonomia shqiptare ka vijuar zgjerimin.

Bazuar në shifrat e inflacionit, Banka e Shqipërisë pritet të vazhdojë me politikën shtrënguese monetare, duke harmonizuar politikën monetare me atë fiskale. Sejko theksoi se ajo ndikohet në një fare mënyre edhe nga qëndrimi që ndjekin bankat qendrore si Rezerva Federale dhe Banka Qendrore Europiane. 

 “Prioriteti i BSH-së është ruajtja e stabilitetit monetar dhe financiar. Kjo përkthehet në mbajtjen në kontroll të inflacionit në mënyrë të qëndrueshme dhe në kohë, duke kufizuar sa më shumë që të jetë e mundur koston për aktivitetin ekonomik dhe për bilancet e sektorit bankar. Arritja e kësaj kërkon një veprim delikat balancues midis objektivave të ndryshëm në një periudhë pasigurie”, shtoi ai.

Një tjetër shqetësim është nëse kjo situatë do të ndikonte në zhvlerësimin e monedhës vendase.

“Për momentin kemi forcim të monedhës së vendit për shkak të rritjes së investimeve të huaja dhe valutës që vjen nga turizmi. Por nëse ndodh e kundërta do të jetë një problem për shkak të nivelit të lartë të euroizimit të ekonomisë. Për këtë ne filluam të zbatonim disa vite më parë një program të deuoriozimit, që nuk synon që të shmangë euron, por të ulë përdorimin e saj aty ku është e panevojshme”, theksoi Sejko.

Banka ka rritur tre herë normat e interesit deri tani, duke i çuar në 1.75%.

Inflacioni në gusht shkoi 8% duke arritur nivelin më të lartë që nga viti 2001. Në të njëjtën periudhë të vitit më parë, inflacioni ishte vetëm 2.4%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë