Gazeta Si – Një tjetër episod kontrovers vjen nga Katari, në prag të Kupës së Botës në futboll. Qeveria ka miratuar një ligj me efekt të menjëhershëm, sipas të cilit të gjithë civilët duhet të marrin pjesë në planin e sigurisë në stadiumet, ku do të zhvillohen ndeshjet.
Janë thirrur për këtë plan edhe qindra civilë nga jashtë vendit, përfshirë edhe disa diplomatë në vende të ndryshme. Angazhimi i tyre do të jetë funksional për të menaxhuar radhën dhe kontrolluar spektatorët, për të evituar futjen brenda stadiumeve të alkoolit, drogës dhe armëve.

Dhe gjithçka duhet bërë në mënyrë korrekte e me buzëqeshje. Kjo masë i shtohet akordit me Turqinë, që do të dërgojë 3 mijë policë të përgatitur me mjetet që nevoijiten në raste protestash. Në Katar flitet për një fluks prej 1.2 milionë vizitorësh gjatë Botërorit, që do t’u shtohen 2.8 milionë banorëve.
Në fillim të shtatorit civilët janë urdhëruar të paraqiten në agim në fushën ushtarake në veri të Dohës 5 herë në javë. Disa vullnetarë janë stërvitur madje përkrah ushtarëve. Katari ka dhënë katër muaj pagesë për të gjithë personat e impenjuar në këtë shërbim.
Në çdo rast nuk ua leverdis të mos i përgjigjen thirrjes, sepse ndëshkimet mund të shkojnë deri në një vit burg, ose në gjobë deri në 50.000 rial katariote (14 mijë euro).
Është shtuar ndërkohë një tjetër protestë në botën e futbollit për dhunimin e të drejtave të punëtorëve të impenjuar për organizimin e Botërotit. Kjo protestë vjen nga ‘Hummel’, sponsori teknik i Danimarkës, që ka vendosur të errësojë dhe gati ta bëjë të padukshme si logon e vet, ashtu edhe stemën e kombëtares.
“Kjo fanellë përcjell një mesazh. Nuk duam të jemi të dukshëm gjatë një manifestimi, që u ka kushtuar jetën qindra personave. Mbështesim kombëtaren daneze, por nuk është e njëjta gjë të mbështesësh Katarin si vend organizator të Botërorit”, – shkruhet në njoftimin e shpërndarë nga kompania.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




