Ekonomi

Sejko takim me FMN-në: Rritja ekonomike pozitive pavarësisht inflacionit

“Perspektiva e rritjes ekonomike mbetet pozitive pavarësisht inflacionit të lartë”, tha Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në një takim me përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

“Në mbështetje të ekonomisë shqiptare, Banka e Shqipërisë ka filluar procesin e normalizimit të politikës monetare për të kontrolluar presionet inflacioniste dhe kthimin e inflacionit në objektiv në një horizont afatmesëm.

Banka e Shqipërisë me politikat e saj ka siguruar tregje të qeta financiare, një sistem të shëndetshëm bankar dhe rezerva të mjaftueshme valutore. Të gjitha këto së bashku me hapësirat për reagim të politikave monetare e fiskale, janë një garanci më shumë për përballimin e situatave kritike”, tha ai.

Temat e diskutuara ishin: ecuria aktuale dhe perspektiva e inflacionit dhe aktivitetit ekonomik, zhvillimet e sektorit bankar dhe financiar dhe gjithashtu edhe disa nga prioritetet e reformave strukturore.

Përfaqësuesit e FMN-së vlerësuan se qëndrimi i politikës monetare ka qenë dhe mbetet i përshtatshëm. Ata shtuan se situata ndërkombëtare mbetet ende e paqartë duke shtuar elementet e pasigurisë dhe nevojën për monitorimin me kujdes të dinamikës së zhvillimeve mbi inflacionin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë