Gjatë bilancit të sezonit turistik të këtij viti, kryeministri Edi Rama tha se ai rezultoi surprizues pasi që në 6-mujorin e parë janë gjeneruar më shumë se 1 miliardë të ardhura.
“Dihet që hoteleria është një sipërmarrje fitimprurëse por kërkon kapital intensiv në fillim dhe durim vit pas viti për të nxjerrë fitimi. Realisht sezoni ishte surprizues për sa i përket sulmit të të ardhurave për ekonominë.
Vetëm në 6 mujorin e parë kemi kaluar 1 miliard të ardhura nga turizmi, pothuajse dyfishin e vitit të shkuar. Flukset e vizitorëve të huaj, deri në gusht kemi qenë 5 milion e 600 e ca mijë, që është e barabartë me 1.3 milionë më shumë se vitin e kaluar. Sot PBB nga turizmi është 17%, nga 4% që ishte më parë ”, tha ai ndërsa shtoi se Shqipëria është e destinuar të bëhet kampione në Ballkan për turizmin.
Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj tha se këtë vit punësimi në sektorin e turizmit është rritur me 4% në krahasim me vitin 2021.
“Turizmi është një ndër sektorët me rritjen më të shpejtë ekonomike të viteve të fundit. Kemi kaluar nga një sektor që para 10 vitesh kontribuuonte në 4% të PPB, që tashmë ka shkuar deri në 17.5%.
Është rritur punësimi me 4% gjë që gjithashtu tregon një rritje kapacitetesh, rritje biznesesh e strukturash akomoduese”, shtoi ajo.
Ndërsa ministrja e turizmit, Mirela Kumbaro theksoi se stacionet e plazheve dhe ato për mjete lundruese do të hyjnë në funksion brenda vjeshtës.
“Stacionet e plazheve dhe stacionet për mjetet lundruese do të hyjnë në funksion brenda vjeshtës. Nga data 1-30 dhjetor do të jenë të hapura aplikimet për certifikimin e aktivitetit për ofrimin e mjeteve lundruese. Po ashtu është koha për të aplikuar edhe për stacionet. Në vitin 2023, 30% e plazheve do të jenë publike”, tha Kumbaro.
Ajo shtoi se deri në gusht, Shqipëria është vizituar nga 29% më shumë vizitorë të huaj krahasuar me vitin e kaluar.
“Kemi rritje nga Anglia, Holanda, Gjermania, Italia apo edhe Spanja. Kjo tregon për reputacionin në rritje të Shqipërisë. Për dy tre vite mund të flitet për turizëm kulinar në Shqipëri duke u nisur nga cilësia e shërbimit nga ana e strukturave akomoduese dhe shefave të kuzhinave”, shtoi ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



