Gazeta Si - Një shtetas nga Presheva është arrestuar në Morinë pasi tentoi të fuste në Shqipëri 5.1 kg heroinë të fshehur në një çantë shpine.
Policia kishte informacion paraprak dhe në momentin kur ka hyrë në tokën shqiptare, mjeti tip “Golf 6” kaloi në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, me drejtues shtetasin Abdullah Ahmeti.
“Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në një çantë iu gjetën 5 kilogramë e 107 gramë lëndë e dyshuar narkotike heroinë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me 4 aparate celulare”, njoftoi policia e Kukësit.
Personi i arrestuar në flagrancë është shtetasi Abdullah Ahmeti, alias Abdullah Jashari 42 vjeç, banues në Preshevë, për veprën penale "Trafikimi i narkotikëve".
Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të këtij rasti, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.