Ekonomi

Turizmi kaloi kulmin e 2019-s. Për 8 mujorin, 16.4% turistë më shumë

Prurjet e turistëve këtë sezon turistik i kaluan edhe nivelet e vitit 2019.

Sipas të dhënave të INSTAT, në tetë muajt e parë të vitit, në vend kanë hyrë rreth 5.7 milionë shtetas të huaj.

Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, hyrjet e shtetasve të huaj për 8 mujorin janë rritur me 29.3%. Ndërsa në raport me 2019-n, që konsiderohet si viti më i mirë i turizmit,vendin e kanë vizituar 16.4% më shumë shtetas të huaj.

Vetëm në gusht, në vend hynë 1.7 milionë shtetas të huaj, me rritje prej 11.2% në raport me gushtin 2021 dhe 9.8% më shumë sesa gushti 2019.

Lëvizjet e shtetasve në Shqipëri

Gjatë gushtit, nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Spanja ka pasur rritjen më të madhe me 3.7 herë dhe Polonia me 92.1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

Arsyeja kryesore për prurjet e mëdha të turistëve nga Spanja sipas tur-operatorëve është fakti që këtë vit për herë të parë janë shtuar fluturimet direkte me Spanjën nga Wizz Air.

Besnik Vathi, Kryetari i Shoqatës së Tur-operatorëve tha për Gazetasi.al para disa kohësh se fluturimet e drejtpërdrejta nga Madridi dhe Barcelona do të vijojnë ta mbajnë të lartë numrin e spanjollëve që vizitojnë Shqipërinë.

Gjatë tetëmujorit, nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Spanja ka pasur rritjen më të madhe me 4.1 herë dhe Greqia me 2.1 herë, ndërsa Maqedonia e Veriut ka pasur rritjen më të ulët me 6.2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Sipas INSTAT, rreth 95% e hyrjes së shtetasve të huaj në vend për 8 mujorin ishin për pushime ose për vizitë tek të afërmit.

Daljet e shqiptarëve u rritën me 34.7%

I lartë ka qenë edhe numri i shtetasve shqiptarë që kanë dalë jashtë vendit pas heqjes së kufizimeve të Covid-19.

Sipas INSTAT, numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë tetëmujorit 2022, është 3.849.395 duke u rritur me  34.7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit gusht janë 773.884. Krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, ky numër është rritur me 14.2%.

Numri i shtetasve që kanë hyrë nga ajri është dyfishuar. Ai është rritur me 91.2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Nga pikat detare është rritur me 46.6% dhe nga pikat kufitare tokësore me 22.3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë