Ekonomi

FMN: Mbroni shtresat e varfra. Të përfundohet sa më shpejt strategjia afatmesme e të ardhurave

Nga Gazeta ‘SI’ – Zv.drejtori i FMN-së, Bo Li, pas vizitës në Shqipëri, ka bërë thirrje për mbrojtje fiskale të shtresave vulnerabël, të prekura nga rritja e çmimeve të ushqimit dhe energjisë.

Ai gjithashtu u sugjeroi autoriteteve financiare që të përfundojnë sa më shpejt strategjinë afatmesme të të ardhurave dhe ta implementojnë atë.  

“Shqipëria ka treguar një qëndrueshmëri të konsiderueshme përballë goditjeve të shumta në vitet e fundit, duke ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe financiar. Autoritetet i janë përgjigjur me shpejtësi goditjeve”,- është shprehur Li.

Zv.drejtori i FMN-së u prit në Shqipëri nga guvernatori i Bankës, Gent Sejko dhe ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, që sipas tij tregonin nivel të lartë të bashkëpunimin me njëri-tjetrin dhe autoritetin ndërkombëtar.

Li e nisi vizitën e tij në Shqipëri dy ditë më parë në Bankën e Shqipërisë. Nga atje ai bëri thirrje për vazhdimësinë  e zbatimit të reformave edhe pse përballe sfidave ekonomike e sociale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë