Drejtësia

Lihen në burg 3 ‘spiunët’ e Gramshit. Ukrainasi refuzon përkthyesin rus: Mu gjymtua vëllai nga sulmet ruse

Gazeta Si - Gjykata e Apelit ka lënë në burg dy rusët dhe ukrainasin të akuzuar për spiunazh, të cilët tentuan të hynin në uzinën e Gramshit në gusht të këtij viti, duke sulmuar rojet ushtarake.

Mikhail Zorin, Zvetlana Timofeeva, si dhe ukrainasi Fedis Alpatov, kanë dalë sot para gjykatës, duke kërkuar lehtësim të masës së sigurisë, pasi ishin lënë në masën "arrest në burg" nga Shkalla e Parë.

Që në fillim të seancës avokati i shtetasit ukrainas, deklaroi se kërkon përkthyes të gjuhës amtare ukrainase për klientin e tij dhe jo përkthyes të gjuhës ruse.

I arrestuari Alpatov i pyetur nga gjykata deklaroi se nuk e kupton mirë përkthyesen nga rusishtja, duke mbështetur kërkesën e avokatit të tij Saimir Vishaj.

Relatori Florian Kalaja konstatoi se pretendimi i personit nën hetim dhe mbrojtjes së tij është më shumë një pengesë proceduriale nga ana e mbrojtjes se një nevojë komunikimi dhe e rrëzoi kërkesën e tij.

Apeli vendosi të miratojë vendimin e gjykatës së Elbasanit, duke lejuar kërkesën për rekurs brenda 45 ditësh nga dhënia e vendimit.

Vishaj deklaroi se është arbitrare t’i mohohet gjuha amtare dhe t’i flitet në rusisht kur i vëllai është gjymtuar nga sulmet ruse në Ukrainë.

Sipas Vishajt, autorësia e goditjes ka një emër, atë të Mikhail Zorin, ndërsa klienti i tij pasi ka ardhur nga Durrësi, ka kontaktuar në Instagram me dy shtetasit e tjerë dhe kanë vendosur të lëvizin me makinën luksoze bashkërisht.

Vishaj kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë ndaj klientit dhe t’i zhvillojë online studimet e masterit.

Edhe dy shtetasit rusë kanë kërkuar të njëjtën masë sigurimi personal, atë të detyrimit për paraqitje pranë policisë gjyqësore.

Mbi shtetasit rusë Mikhail Zorin, 23-vjeç, Svetlana Timofeeva, 33 vjeçe dhe 25-vjeçari ukrainas Fedis Alpatov rëndojnë akuzat për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës”, “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”, kryer në bashkëpunim.

Tre shtetasit e huaj u arrestuan në gusht, pasi hynë pa leje në uzinën ushtarake në Gramsh për të fotografuar. Ata pretenduan fillimisht se ishin blogerë dhe të njëjtat foto i kanë kryer edhe në vende të tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë