Futboll

Në Kukës e bëjnë rrugë, Cara goditet me shishe sapo shënon dhe përfundon në spital

Gazeta Si – Në Kukës nuk zënë mend. Për të tretën herë radhazi tifozët vendës kanë hedhur shishe në fushë dhe kanë goditur lojtarët e ekipit kundërshtar. Sot fatin e keq e pati sulmuesi i Partizanit, Tedi Cara, pasi tifozi kuksian qëlloi në shenjë.

Sapo shënoi golin e avantazhit në minutën e 14-të, futbollisti kavajas u godit me një shishe në fytyrë teksa festonte. Ai u rrëzua në tokë dhe më pas nuk ishte në gjendje ta vazhdonte lojën. Cara u zëvendësua dhe shkoi në spitalin e Kukësit për t’u mjekuar.

Festa e hidhur e Cares. Gazeta Si, 19 shtator 2022

Loja vazhdoi më pas, por nuk është ende e qartë, nëse arbitri e ka vazhduar ndeshjen për publik, apo ai vërtet e ka injoruar incidentin skandaloz. Në situata të tilla, ndeshja mund të mbyllet që në atë moment, pasi lojtari nuk është dëmtuar në lojë, por nga faktorë të jashtëm.

Partizani ka gjithë të drejtën të kërkojë fitoren në tavolinë, sepse është penalizuar nga dalja e Carës. Çështja do t’u kalojë komisioneve disiplinore të FSHF-së. Edhe në dy ndeshjet e tjera që Kukësi ka luajtur në shtëpi ka pasur insidente të tilla, por klubi verior ia ka hedhur me gjobë. Që në javën e parë u godit Taulant Seferi me shishe në kokë.

Nëse edhe këtë herë do të ketë tolerim, atëherë skuadrat që do të shkojnë në Kukës duhet të marrin me vete edhe skafandrat, sepse nuk i dihet nga vjen shishja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë