Gazeta Si – Pas më shumë se dy muajash nis Botërori i Katarit, më i çuditshmi dhe i pari në histori që luhet në dimër. Përveç skuadrës fituese, kompanitë e basteve kanë kuotuar edhe favoritët për garën e shënuesit më të mirë.
Franca është kampione në fuqi, por Brazili shihet si favorit nga kompanitë e basteve për të ngritur lart Kupën e Botës, që i mungon prej vitit 2002. Po kush do të shënojë më shumë gola? Pritshmëritë më të mëdha janë për Herri Kejn të Anglisë, pastaj vijnë Mbape dhe Benzema të Francës, Lukaku i Belgjikës dhe Mesi i Argjentinës.

Bastexhinjtë shohin si favort absolut në klasifikimin e shënuesve më të mirë të Botërorit anglezin Herri Kejn, fitues edhe i edicionit të fundit me 6 gola. Kejn ka qenë edhe shënuesi më i mirë i kualifikuesve të Botërorit me 12 gola në 8 ndeshje.
Lojtari i Totenhemit shihet si favorit edhe për shkak të grupit ‘të thjeshtë’ të Anglisë, që përballet me Iranin, SHBA-të dhe Uelllsin. Kejn ka kuotën 7.5 në parashikimet për shënuesin më të mirë në Katar.
Interesante janë edhe kuotat e francezëve Mbape dhe Benzema. I pari kërkon të vërë firmën në Botëror, kurse i dyti vjen pas një sezoni ëndrrash. Të dy kuotohen me shifrën 9 nga bastexhinjtë.
Jashtë podit janë Lionel Mesi edh Kristiano Ronaldo. Argjentinasi nuk ka shkëlqyer kurrë në Botëror, por ndoshta ka thyer tabunë me fitimin e Kupës së Amerikës në 2021-shin. Mesi me siguri nuk dëshiron të mungojë në takimin e fundit me historinë. Ai dhe Ronaldo kanë kuotën 12.
Pastaj vijnë Romelu Lukaku, sulmuesi i Interit dhe Belgjikës, që gjithashtu ka kuotën 12. Bastexhinjtë nuk besojnë shumë te Nejamr, që ka kuotën 25.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




