Krerët e Drejtorisë së Policisë së shtetit i kanë kërkuar prokurorisë së Posaçme të nisë hetime për të zbardhur fatin e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj.
Ky veprim vjen pas kërkesë së kryeministrit Rama drejtuar kreut të ri të policisë Muhamet Rrumbullaku, në prezantimin e tij si drejtor i ri i policisë.
Gazetarja Anila Hoxha, bën me dije për Top Channel se krerët e policisë së shtetit dhe zyrtarët e SPAK, u kujdesën që takimi mes tyre të mos bëhej publik, duke qenë se ka detaje sekrete.
Mes tyre është diskutuar çështja më e “nxehtë e verës”, ku është kërkuar të merret në hetim nga SPAK duke qenë se po hetohet nga një prokurori e thjeshtë e vendit. Bëhet me dije gjithashtu se është diskutuar edhe për ish-efektivin Jeton Lami, i cili mund të merret në pyetje rreth kësaj çështjeje së shpejti.
Përpos kësaj kërkese, Gjykata e Apelit do të bëje me dije masën për Jeton Lamin në ditët në vijim, i cili pas dëshmisë së tij mund të zbardhë shumë detaje të reja në lidhje me këtë ngjarje.
28-vjeçari Jeton Lami, ish-agjent pranë Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dyshohet se është shoqëruar me Ervis Martinajn, gjatë kohës që ai ishte në kërkim dhe lidhja doli në dritë, kur familja e tij denoncoi zhdukjen pak javë më parë. (Tch)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




