Gazeta Si – Erzeni duhet të jetë një rast studimi, pasi me atë që po bën në fushë në këto 5 javë të para të Superiores, duket se po thyen edhe ‘ligjet’ e futbollit. Një ekip i krijuar me emrgjencë pak para nisjes së kampionatit, e sheh veten në krye të kampionatit elitar në vend.
Me 3 fitore, 2 barazime, 3 gola të shënuar dhe asnjë të pësuar, shijakasit kanë 11 pikë aktualisht, më shumë se gjithë të tjerët. Partizani, ndjekësi më i afërt, ka 9 pikë dhe të hënën luan ndaj Kukësit.
Erzeni mundi sot 1-0 Laçin dhe me shumë mundësi do ta lërë edhe pa trajner, pasi malazezi Dejan Vukiçeviç ka lënë të kuptohet se mund të largohet. Ishte humbja e katërt radhazi për kurbinasit dhe me shumë gjasa do të ketë ndryshime në stol.
Ndeshja e zhvilluar në ‘Niko Dovana’, ku për pak minuta ikën edhe dritat, u vendos nga një penallti në kohën shtesë. Kahrimanoviç shënoi nga pika e bardhë golin e fitores për Erzenin. Me rezultatin 1-0 skuadra e drejtuar nga Xhevahir Kapllani ka mundur edhe Partizanin e Vllazninë.

Po sot u luajt edhe ndeshja mes Bylisit dhe Egnatias, që u mbyll në barazim 0-0.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




